Pesë makina luksoze, të cilat lëviznin me shpejtësi që kalonin 200 kilometra në orë, përshkonin rregullisht qindra kilometra nëpër autostradat spanjolle, duke nisur udhëtimin nga Huelva në drejtim të Barcelonës dhe duke u kthyer më pas sërish drejt Costa del Sol, në një itinerar që në një ditë të vetme mund të arrinte mbi 2 mijë kilometra, ndërsa ndalesat e shkurtra dhe lëvizjet e koordinuara të automjeteve kishin ngritur dyshimet e hetuesve se pas këtij karvani të makinave sportive fshihej një aktivitet shumë më i madh kriminal.
Në pamje të parë, automjetet mund të ngjanin me një grup të apasionuarish pas makinave të luksit që udhëtonin nëpër Spanjë, por hetimet e Policisë Kombëtare spanjolle zbuluan se pas tyre qëndronte një organizatë kriminale shqiptare, e cila dyshohet se ishte e përfshirë në importimin, transportin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në disa vende evropiane.
Operacioni, i cilësuar si shumë kompleks nga kreu i Njësisë Qendrore Kundër Krimit të Organizuar, Antonio Jesus Martínez Duarte, ka çuar në sekuestrimin e rreth 2.7 tonëve kokainë, 29 automjeteve luksoze, armëve, bizhuterive, parave cash, kriptomonedhave, llogarive bankare, produkteve financiare dhe pasurive të paluajtshme, ndërsa në kuadër të hetimit janë arrestuar 15 persona, një pjesë e të cilëve dyshohet se kishin lidhje të ngushta familjare brenda strukturës së organizatës.
Hetimi kishte nisur rreth një vit më parë, në vitin 2025, pas informacioneve të siguruara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar policor, ndërsa agjentët nisën të ndiqnin gjurmët e një rrjeti që dyshohej se kontrabandonte sasi të mëdha narkotikësh nga Kolumbia drejt zonës së Campo de Gibraltar, prej nga droga transportohej më tej drejt destinacioneve të tjera evropiane, duke përdorur kryesisht makina sportive dhe automjete të fuqishme që mund të përshkonin distanca të gjata me shpejtësi të lartë.
Dyshimet u shtuan edhe nga mënyra se si anëtarët e organizatës komunikonin me njëri-tjetrin, pasi drejtuesit shmangnin telefonatat dhe preferonin takimet e drejtpërdrejta, ndërsa në disa raste udhëtonin nga Marbella deri në Barcelonë vetëm për takime të shkurtra, duke treguar një kujdes të jashtëzakonshëm për të mos lënë gjurmë
Goditja e parë e madhe ndaj rrjetit erdhi më 10 prill, kur Policia Kombëtare zhvilloi një seri operacionesh të koordinuara në Malaga, Estepona, Marbella dhe Churriana, ku gjatë kontrolleve u sekuestruan 1.434 kilogramë kokainë, rreth 800 gramë tusi, dy pistoleta, katër makina dhe dy motoçikleta, ndërsa në të njëjtën kohë një tjetër grup agjentësh ndërhyri në Katalonjë, ku kontrolloi një vilë në Sant Just Desvern që dyshohej se përdorej si magazinë për drogën.
Armet e sekuestruar ne operacion
Në garazhin e vilës në Sant Just Desvern, hetuesit zouluan edhe 1.351 kilogramë kokainë, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në këtë fazë të operacionit në pothuajse tre tonë, ndersa hetimi vijoi gjate muajve te mevonshem dhe solli arrestime të tjera, përfshirë persona që kishin lënë Spanjën për t\’i shpëtuar presionit të autoriteteve dhe ndaj të cilëve u lëshuan urdhër-arreste evropiane dhe ndërkombëtare.
Në fund, një nga elementët më të rëndësishëm të operacionit ishte goditja e pasurisë së organizatës, pasi përveç 2.7 tonëve kokainë, autoritetet sekuestruan 29 makina luksoze dhe bllokuan pasuri të tjera që dyshohet se ishin krijuar ose përdorur në funksion të aktivitetit kriminal, duke përfshirë llogari, produkte financiare, kriptomonedha, bizhuteri dhe pasuri të paluajtshme.
