Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës qytetin e Tetovës, ku një vajzë e re ka humbur tragjikisht jetën.
Sipas informacioneve paraprake, Daorsa Spahija, 24-vjeçare nga Gjakova, studente e Fakultetit të Mjekësisë, ka rënë nga kati i katërt i një ndërtese, duke ndërruar jetë në vendngjarje.
Fillimisht rasti u raportua si vetëvrasje, por burime nga autoritetet në Tetovë kanë treguar për portalin Insajderi se vajza mund të jetë shtyrë drejt këtij akti, duke ngritur dyshime për një skenar të errët pas vdekjes së saj.
Sipas këtyre burimeve, i dyshuar për ngjarjen është djali i një biznesmeni të njohur nga Maqedonia e Veriut, E. Sejdiu, biri i B. Sejdiut nga Kumanova.
Në banesën e tij, sipas portalit IndeksOnline, është gjetur telefoni i viktimës, ku janë zbuluar mesazhe kërcënuese drejtuar Daorsës, si dhe një armë zjarri.
Lajmi ka tronditur qytetin e Gjakovës, ku e ndjera njihej si një vajzë e qetë, e respektuar dhe me ëndrra të mëdha për të përfunduar studimet në mjekësi.
Familjarët dhe miqtë e saj janë në gjendje shoku, ndërsa varrimi i Daorsa Spahijës do të bëhet nesër (e premte), në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Autoritetet maqedonase kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa pistat kryesore mbeten presioni psikologjik dhe dhuna e mundshme ndaj viktimës.

Be First to Comment