" Skip to content

I FUNDIT – Plas arma mes policise dhe kultivuesve te droges ne veri te Shqiperise, Forcat speciale nisen me urgjence, raportohet se…

Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar mbrëmjen e kësaj të shtune zonën e “Hamallës së Dedës”, pranë fshatit Qafë T’Mugu, në Qelëz të Pukës, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta policie.

Sipas informacioneve paraprake nga burime policore, një skuadër efektivësh ndodhej në zonë duke monitoruar një parcelë të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të kontrolleve kundër kultivimit të kanabisit.

Gjatë operacionit, dyshohet se efektivët janë pikasur nga persona që mund të kenë qenë të përfshirë në kultivimin apo ruajtjen e parcelës. Në rrethana që mbeten ende për t’u sqaruar plotësisht, në zonë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, duke bërë që operacioni policor të zgjerohet.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Klodian Zhivani, pas të shtënave është kërkuar përforcim dhe drejt zonës është nisur edhe një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Shkodra.

Forcat e policisë po ushtrojnë kontrolle në një territor të gjerë, ndërsa operacioni vijon për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të dyshuar. Po verifikohet gjithashtu nëse të shtënat kanë qenë të drejtuara ndaj efektivëve të policisë apo janë qëlluar në ajër për t’i trembur dhe për t’u krijuar mundësi autorëve të largohen nga zona.

Deri në këto momente nuk raportohet zyrtarisht për persona të plagosur, ndërsa mbeten ende të paqarta dinamika e plotë e ngjarjes, numri i personave të përfshirë dhe sasia e bimëve narkotike që mund të jetë kultivuar në parcelën e dyshuar.

Policia vijon kontrollet dhe krehjen e zonës, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me më shumë detaje mbi operacionin dhe rrethanat e të shtënave.

Published inLAJME

Comments are closed.