Autoritetet qipriote ngritën alarm mëngjesin e së premtes në aeroportin e Larnakës, pasi morën një kërcënim për vendosjen e një bombe në një avion që po përgatitej të nisej drejt Italisë. Kompania ajrore evakuoi rreth 190 pasagjerë që kishin hipur në bord dhe shkarkoi bagazhet, ndërsa policia nisi kontrollet për të verifikuar kërcënimin.Sipas Philenews, kërcënimi për bombë ishte dërguar me faks. Pas marrjes së informacionit, autoritetet aktivizuan menjëherë protokollet e sigurisë dhe nisën kontrollin e avionit dhe verifikimin e rrethanave të rastit.
Forcat e policisë dhe shërbimet kompetente mbërritën në aeroport dhe nisën hetimet për të përcaktuar nëse kërcënimi ishte real.
Deri tani nuk është bërë e ditur nëse autoritetet kanë gjetur ndonjë objekt të dyshimtë në avion apo nëse alarmi bazohet vetëm në kërcënimin që iu dërgua autoriteteve.
Kontrollet vijojnë, ndërsa pritet një njoftim i mëtejshëm nga autoritetet qipriote.
