Pensionet shqiptare në Itali, diaspora i bën kërkesën që nuk pritej Kryeministrit Rama. Përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama nisjen e një dialogu institucional me autoritetet italiane për trajtimin tatimor të pensioneve shqiptare që përfitohen nga qytetarët me rezidencë fiskale në Itali.
Kërkesa është paraqitur nga grupi “Pension – Dinjitet – Unitet” dhe shoqata “Diaspora 91-19 ANIAP”, të cilat argumentojnë se pensionet shqiptare, shpesh në nivele të ulëta, përfshihen në bazën e tatueshme të përfituesve në Itali.
Sipas kërkesës, nga 1 korriku 2025 është në fuqi Marrëveshja Shqipëri–Itali për sigurimet shoqërore, e cila koordinon periudhat e sigurimit dhe njeh të drejtën e pensionit të krijuar nga kontributet në të dy vendet.
Përfaqësuesit e diasporës i referohen gjithashtu Konventës mes Shqipërisë dhe Italisë për shmangien e tatimit të dyfishtë, duke argumentuar se pensionet që lidhen me një punësim të mëparshëm tatohen në shtetin ku përfituesi ka rezidencën fiskale.
Sipas tyre, një qytetar që jeton në Itali dhe përfiton një pension shqiptar prej rreth 100–150 eurosh në muaj duhet ta deklarojë këtë shumë në Itali, ku ajo i shtohet të ardhurave të tjera dhe tatohet sipas sistemit progresiv italian IRPEF. Tatimi sipas ligjeve italiane arrin deri 20%.
Në kërkesën drejtuar qeverisë shqiptare argumentohet se kjo krijon një barrë të ndjeshme për pensione relativisht të ulëta dhe kërkohet që trajtimi fiskal të marrë në konsideratë nivelin e të ardhurave dhe kapacitetin real kontribues të pensionistëve.
Përfaqësuesit e diasporës kërkojnë që Tirana zyrtare të negociojë me palën italiane mundësinë e një protokolli shtesë ose një marrëveshjeje që të trajtojë në mënyrë specifike pensionet e ulëta shqiptare të përfituara në Itali.
“Një pension prej 100–150 eurosh në muaj nuk është pasuri, është njohja minimale e një jete pune të kryer në Shqipëri”, thuhet në kërkesën e firmosur nga përfaqësuesit e “Pension – Dinjitet – Unitet” dhe “Diaspora 91-19 ANIAP”.
