Reperi kosovar Gramoz Aliu, i njohur si Mozzik, ka reaguar ashpër pas pjesëmarrjes së tij në “Marshin për Liri”, të mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mozzik tha se kishte lexuar komentet e publikuara në disa media pas pjesëmarrjes së tij në marshim, duke pretenduar se ndaj tij dhe familjarëve të tij ishin përdorur fyerje të rënda.
Ai u shpreh se, pasi kishte kontrolluar profilet e personave që kishin komentuar, kishte vënë re se shumë prej tyre, sipas tij, ishin profile të rreme.
“M’u kish sha nana, gruaja, vajza, familja e fisi, veç pse dola në marsh. Po kur fillova me kliku e me pa kush ishin ata që shkruanin, pothuajse krejt profile fallco”, shkroi reperi.
Mozzik shkoi edhe më tej në reagimin e tij, duke i akuzuar komentuesit se janë kundër luftës së UÇK-së dhe duke pretenduar se ata presin një vendim të kundërt më 16 shtator.
“Këta janë pikërisht ata që nuk dolën në protestë. Këta janë e keqja e këtij vendi. Këta janë pjellë e Beogradit”, deklaroi ai.
Në fund të postimit, reperi përmendi edhe historinë e familjeve shqiptare dhe përjetimet e tyre gjatë luftës, ndërsa e mbylli reagimin me një urim për 16 shtatorin.
“O Zot i Madh, bëje 16 Shtatorin datën që historia s’do ta harrojë kurrë”, shkroi Mozzik.
