Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me drogën që u zbulua më 14 shtator në portin e Durrësit, brenda kontejnerëve me mish pule.
Droga, që kishte ardhur nga Brazili, dyshohet se i përkiste shqiptarit Gert Gjinarari i njohur me nofkën “Gjenerali”, i cili është arrestuar në Belgjikë. Sipas mediave belge, trafiku u zbulua falë përgjimeve që autoritetet në Belgjikë kishin kryer, duke sinjalizuar edhe policinë shqiptare.
Autoritetet belge nisën hetimet rreth një vit më parë, pas dyshimeve se në apartamentin e Gjinararit fshiheshin sasi të mëdha lëndësh narkotike. Po ashtu, dyshohet se ai shërbente si urë lidhëse mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe atyre në Amerikën Latine.
Gent “Gjenerali” u arrestua nga njësia FAST e Policisë Federale belge, pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një ngjarje të rëndë kriminale të vitit 1997. Në atë vit, ai qëlloi një rival në një spital në Milano me një pistoletë të fshehur midis një buqete me lule.
Njoftimi i policisë mbi kapjen e drogës:
“Port, Durrës/ Goditet një rast i trafikimit të kokainës nga Brazili drejt Shqipërisë.
Brenda një muaji goditen 3 raste të tentativës për të futur lëndë narkotike në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, sekuestrohen 41 kg e 350 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 2 milionë euro.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.
Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.
Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
