" Skip to content

Tre të vrarë dhe një i plagosur pas të shtënave në një dyqan, arrestohet një i dyshuar

Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas një incidenti me armë zjarri të regjistruar në një dyqan në lagjen Fatih të Stambollit, një nga zonat më të frekuentuara dhe më të njohura turistike të metropolit turk.
Sipas raportimeve të mediave turke, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes pronarit të dyqanit dhe një klienti, ndërsa përplasja verbale dyshohet se ka përfunduar në përdorimin e armës.
Lexo gjithashtu: LAJMI I FUNDIT / Kjo gje e rende i ndodhi gazetarit te njohur
Raportimet paraprake, të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet, bëjnë me dije se konflikti mund të ketë nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje gjatë një këmbimi valutor.
Pas të shtënave, në zonë kanë mbërritur forca të shumta policie dhe ekipe të urgjencës. Tre persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa një tjetër është plagosur dhe është transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, agjencia private e lajmeve DHA publikoi fotografi nga vendi i ngjarjes, ku shihet një person duke u transportuar me barelë drejt një ambulance, ndërsa zona përreth dyqanit është rrethuar nga policia.

Autoritetet turke pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, përfshirë identitetet e viktimave, gjendjen e të plagosurit dhe rrethanat që çuan në përshkallëzimin e konfliktit.

Hetimet për ngjarjen vijojnë.

Published inLAJME