" Skip to content

Tensione në Rrugën e Dibrës/ Protestuesit godasin me gurë furgonët e “Shqiponjave”, efektivët largohen me vrap

Një tjetër episod përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të rendit është regjistruar në hyrje të Rrugës së Dibrës, pas shpërndarjes së turmës nga sheshi “Skënderbej”.

Në këtë zonë ishin pozicionuar disa furgonë të forcave “Shqiponja”, të cilët janë goditur me gurë nga një grup protestuesish.

Sipas raportimit nga terreni, protestuesit i kanë kapur në befasi efektivët e policisë, duke sulmuar me gurë automjetet e tyre. Një grup punonjësish të policisë është larguar me vrap, ndërsa protestuesit janë vënë në ndjekje të tyre.

Incidenti shënon një tjetër episod të tensioneve në kryeqytet, ku përplasjet tashmë janë zhvendosur nga sheshi “Skënderbej” në rrugët përreth tij.

Më herët, policia kishte ndërmarrë disa operacione për shpërndarjen e qytetarëve të grumbulluar në shesh, duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion.

Pas zbrazjes së sheshit, forcat e rendit u vunë në ndjekje të protestuesve në rrugët e kryeqytetit, ndërsa në Rrugën e Dibrës situata ka marrë një tjetër rrjedhë, me protestues që kanë ndjekur efektivët e policisë.

Published inLAJMI