" Skip to content

Nga Uashingtoni në Brazil, Shqipëria në kryetitujt e botës: Mijëra protestues kërkojnë largimin e Ramës

Protesta kombëtare e 28 nëntorit 2026 në Tiranë ka marrë vëmendje të gjerë në mediat ndërkombëtare, duke e vendosur Shqipërinë në faqet e shtypit të huaj në ditën e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Të paktën 18 media ndërkombëtare kanë pasqyruar zhvillimet nga Tirana në Ditën e Pavarësisë.

Nga SHBA dhe Britania e Madhe, deri në Itali, Greqi, Brazil, Singapor e Lindjen e Mesme, mediat raportojnë për mijëra qytetarë që kanë protestuar kundër qeverisë, përplasjet ndërmjet demonstruesve dhe forcave të rendit, si dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Raportimet ndërkombëtare evidentojnë kontrastin ndërmjet simbolikës së Ditës së Pavarësisë, tradicionalisht e shoqëruar me festime kombëtare, dhe protestës së zhvilluar këtë vit në kryeqytetin shqiptar.

Sipas agjencive të lajmeve, demonstrata nisi në mënyrë paqësore, por më pas u shoqërua me incidente. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa grupe protestuesish hodhën gurë dhe shishe me lëndë djegëse.

Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, të përcjellë nga Al Jazeera, disa persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe efektivë policie dhe gazetarë.

Agjencia ndërkombëtare Reuters, në një raportim të gazetarit Fatos Bytyçi, e vendos protestën e 28 Nëntorit në kontekstin e demonstratave që prej muajsh po zhvillohen në Shqipëri.

Reuters e cilëson valën e protestave si sfidën më të madhe politike deri tani për Edi Ramën, i cili drejton qeverinë shqiptare që prej vitit 2013 dhe fitoi mandatin e katërt në vitin 2025.

Agjencia evidenton ndër shkaqet e pakënaqësisë qytetare perceptimin për korrupsionin qeveritar, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në sistemin arsimor.

Në raportim përmendet edhe pankarta me mesazhin “Shqipëria nuk është në shitje”, e cila lidh kundërshtimin ndaj projekteve turistike në bregdet me kërkesat më të gjera politike të demonstruesve.

Reuters pasqyron gjithashtu qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog. Sipas agjencisë, qeveria ka ndërmarrë edhe masa ekonomike, përfshirë uljen e çmimit të karburanteve dhe shtimin e mbështetjes financiare për familjet në nevojë.

Nga Uashingtoni në Brazil, Shqipëria në kryetitujt e botës:

Associated Press dhe The Washington Post: Shqiptarët kërkojnë ndryshim politik

Agjencia amerikane Associated Press i kushton vëmendje pjesëmarrjes së qytetarëve nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe diasporës.

Raportimi i gazetares Zana Cimili, i publikuar edhe nga gazeta amerikane The Washington Post, pasqyron pakënaqësitë ndaj klasës politike shqiptare, vështirësitë ekonomike dhe kërkesat për një perspektivë më të mirë për brezin e ri.

Mes qytetarëve të intervistuar është 33-vjeçari Arian Lleshi, i cili kishte udhëtuar nga Mbretëria e Bashkuar posaçërisht për të marrë pjesë në protestë. Ai shprehet i pakënaqur me përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe kërkon ndryshim brezash në drejtimin e vendit.

Në raportim përfshihet edhe dëshmia e pensionistes Suzana Gjeta, e cila ngre shqetësimin për vështirësitë ekonomike të pensionistëve dhe të ardhmen e të rinjve.

Përmes këtyre dëshmive, AP e trajton protestën jo vetëm si një përballje ndërmjet demonstruesve dhe policisë, por edhe si shprehje të pakënaqësive sociale dhe politike.

AFP dhe Al Jazeera: Nga “Revolucioni i Flamingove” te kërkesa për largimin e Ramës

Al Jazeera, në një artikull të mbështetur në raportimet e AFP, AP dhe Reuters, i kushton rëndësi origjinës së lëvizjes protestuese dhe zgjerimit të kërkesave të saj.

Lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove” nisi në maj me kundërshtimin e një projekti turistik luksoz në një zonë bregdetare me rëndësi natyrore, të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Me kalimin e muajve, protestave iu bashkuan studentë dhe qytetarë me kërkesa që shkojnë përtej çështjeve mjedisore, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit të pretenduar, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.

Raportimi i AFP për zhvillimet në Tiranë është shpërndarë edhe përmes agjencisë kombëtare të lajmeve të Namibisë, NAMPA, duke e çuar pasqyrimin e protestës shqiptare edhe në mediat afrikane.

Nga Uashingtoni në Brazil, Shqipëria në kryetitujt e botës:

Mediat britanike: Pamjet e përplasjeve në Tiranë

Dy prej mediave të njohura britanike, The Guardian dhe Sky News, kanë pasqyruar protestën shqiptare përmes videoreportazheve nga kryeqyteti.

The Guardian ka publikuar materialin me titullin “Protestuesit antigovernitarë në Shqipëri hedhin fishekzjarrë ndaj policisë”, duke vënë në plan të parë përplasjet dhe tensionet në rrugët e Tiranës.

Sky News, ndërkohë, e ka vendosur theksin te kërkesa politike e demonstruesve për dorëheqjen e kryeministrit shqiptar.

Në të dyja publikimet, pamjet nga protesta përbëjnë elementin kryesor të raportimit.

Bloomberg: Protestat anti-qeveritare përshkallëzohen në kryeqytetin shqiptar

Agjencia amerikane e lajmeve ekonomike dhe financiare Bloomberg i ka kushtuar gjithashtu një publikim zhvillimeve në Shqipëri.

Me titullin “Protestat anti-qeveritare kthehen në të dhunshme në kryeqytetin shqiptar”, Bloomberg evidenton përshkallëzimin e demonstratave kundër qeverisë.

Prania e ngjarjes në një media të specializuar në ekonomi, financa dhe politikë ndërkombëtare zgjeron pasqyrimin e protestës përtej mediave të përgjithshme informative.

Euronews: Studentët dhe diaspora kërkojnë ndryshim

Në një artikull të gazetarit Gael Camba, televizioni panevropian Euronews raporton për mobilizimin e qytetarëve shqiptarë nga brenda dhe jashtë vendit.

Media përcjell dëshminë e studentes Juna Vasili, e cila shpreh pakënaqësinë ndaj kushteve të jetesës dhe kërkon ndryshime të sistemit politik.

Euronews rikujton gjithashtu se protestat kanë marrë karakter më të gjerë gjatë muajve të fundit, duke bashkuar kauzat mjedisore me kërkesat për arsim më cilësor dhe kushte më të mira jetese.

Në qendër të raportimit mbetet thirrja për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nga Uashingtoni në Brazil, Shqipëria në kryetitujt e botës:

Mediat italiane: Thirrje kundër Ramës dhe Berishës

Protesta e 28 Nëntorit është pasqyruar edhe në shtypin italian, përfshirë revistën Internazionale dhe agjencinë Agenzia Nova.

Internazionale ka publikuar në anglisht dhe italisht raportimin e Reuters mbi demonstratën e udhëhequr nga studentët dhe përplasjet me policinë.

Agenzia Nova, nga ana tjetër, evidenton një element që nuk zë të njëjtën hapësirë në disa prej raportimeve të tjera ndërkombëtare: kundërshtimin e një pjese të protestuesve ndaj të dy drejtuesve kryesorë të politikës shqiptare, Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Agjencia italiane, duke iu referuar mediave shqiptare, përcjell edhe parullat: “Shqipëria nuk është në shitje!” dhe “Rama në burg, Berisha në burg!”.

Agenzia Nova raporton gjithashtu për synimin e organizatorëve të lëvizjes qytetare për ta vijuar protestën edhe më 29 nëntor, në Ditën e Çlirimit.

Mediat greke: Pakënaqësi ndaj klasës politike shqiptare

Gazeta greke Kathimerini, në edicionin e saj ndërkombëtar në gjuhën angleze, ka publikuar raportimin e Associated Press për demonstratat në Tiranë.

Media greke evidenton pjesëmarrjen e qytetarëve nga diaspora, kërkesat studentore dhe pakënaqësitë ndaj partive tradicionale politike në Shqipëri.

Në artikull trajtohet edhe lidhja ndërmjet protestave aktuale dhe kundërshtimit të projektit turistik në bregdetin jugor shqiptar.

Jehona e protestës mbërrin deri në Brazil

Zhvillimet në Shqipëri janë pasqyruar edhe nga UOL (Universo Online), një prej portaleve të mëdha informative në Brazil.

Në artikullin me titullin “Protesta e studentëve kundër qeverisë së Shqipërisë përfundon në dhunë”, media braziliane përqendrohet te kërkesat studentore, problemet ekonomike dhe përplasjet ndërmjet demonstruesve dhe policisë.

Raportimi evidenton kërkesat për kushte më të mira universitare, tarifa më të ulëta studimi dhe mbështetje më të madhe financiare për studentët.

UOL rikujton gjithashtu se Rama drejton qeverinë prej vitit 2013 dhe se ka kundërshtuar kërkesat për dorëheqje.

Nga Uashingtoni në Brazil, Shqipëria në kryetitujt e botës:

Nga Singapori në Lindjen e Mesme dhe Oqeani

Protestat shqiptare kanë gjetur hapësirë edhe në mediat jashtë Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Gazeta Lianhe Zaobao, me seli në Singapor, raporton për përplasjet gjatë demonstratave të Ditës së Pavarësisë.

Televizioni dhe portali informativ Al Arabiya, një prej mediave të njohura të botës arabe, ka publikuar gjithashtu një raportim për përplasjet ndërmjet policisë shqiptare dhe protestuesve antigovernitarë.

Ndërkohë, Yahoo News, në edicionin e Zelandës së Re, ka publikuar raportimin e zgjeruar të Reuters, duke pasqyruar zhvillimet politike në Shqipëri edhe për audiencën në Oqeani.

Projekti i Jared Kushner dhe origjina e protestave

Një element i përbashkët i një pjese të konsiderueshme të raportimeve ndërkombëtare është lidhja e protestave me projektin turistik të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Mediat e huaja e identifikojnë kundërshtimin ndaj këtij projekti si një nga pikënisjet e mobilizimit qytetar në maj të vitit 2026.

Nga një kauzë për mbrojtjen e mjedisit dhe bregdetit, lëvizja është zgjeruar gradualisht, duke përfshirë kërkesa për përgjegjshmëri institucionale, drejtësi sociale dhe ndryshim politik.

Reuters përcjell edhe qëndrimin e kryeministrit Rama, sipas të cilit projekti është i ligjshëm dhe habitatet natyrore do të mbrohen.

Integrimi evropian dhe shqetësimet për përdorimin e forcës

Një tjetër aspekt i pasqyrimit ndërkombëtar lidhet me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Al Jazeera rikujton thirrjet e BE-së për hetimin e rasteve të përdorimit të tepruar të forcës nga policia dhe uljen e tensioneve ndërmjet palëve.

Këto zhvillime raportohen në një kohë kur qeveria shqiptare synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Vëmendja ndërkombëtare ndaj protestave nënvizon rëndësinë që kanë respektimi i së drejtës së tubimit, proporcionaliteti i ndërhyrjes policore dhe funksionimi i institucioneve demokratike në kontekstin e integrimit evropian.

Nga Uashingtoni në Brazil, Shqipëria në kryetitujt e botës:

Përtej përplasjeve, një lëvizje me kërkesa sociale dhe politike

Pavarësisht dallimeve në mënyrën e raportimit, në pasqyrimin ndërkombëtar dallohen disa tema të përbashkëta: pjesëmarrja e studentëve dhe diasporës, emigracioni, vështirësitë ekonomike, akuzat për korrupsion, kundërshtimi ndaj projekteve turistike dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.

Ndërsa mediat televizive janë përqendruar kryesisht te pamjet e përplasjeve, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë ofruar një kontekst më të gjerë mbi shkaqet dhe evolucionin e protestave.

Pasqyrimi në media të pesë kontinenteve tregon shtrirjen gjeografike të raportimit për ngjarjet në Shqipëri. Protesta e 28 Nëntorit paraqitet në shtypin ndërkombëtar jo si një zhvillim i izoluar, por si pjesë e një lëvizjeje qytetare disamujore dhe e një sfide politike për qeverinë Rama.

Published inLAJMI