Një arratisje e denjë për një skenar filmi ka ndodhur në Greqi teksa një 41-vjeçari shqiptar i identifikuar si Gentian Çipi u arratis mbrëmjen e së premtes nga zona e Spitalit të Përgjithshëm të Serresit, pasi një grup bashkëpunëtorësh të armatosur i zunë pritë automjetit që po e transportonte nga burgu drejt spitalit.
Sipas raportimeve të publikuara gjatë ditës së sotme, ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, në ambientet e jashtme të spitalit, pranë repartit psikiatrik.
Në automjet ndodheshin Çipi dhe dy punonjës që e shoqëronin. Në një moment, pranë mjetit u shfaqën dy automjete që ngjanin me makina policie.
Personat që ndodheshin në to iu afruan eskortës dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan dy shoqëruesit.
Autorët më pas nxorën Gentian Çipin nga automjeti dhe e ndihmuan të largohej. Sipas informacioneve të raportuara, grupi mori edhe armën e shërbimit të njërit prej punonjësve të burgut, përpara se të largohej me automjetet.
