Skip to content

Video prekëse rikthen në kujtesë fjalët e Shpat Kasapit për të birin: Të rritet i shëndoshë dhe me prindër

Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka rikthyer emocione të forta te fansat e Shpat Kasapit. Pamjet, të realizuara disa vite më parë gjatë një interviste televizive, e tregojnë këngëtarin duke folur me mall për momentin kur do të bëhej baba i një djali – një dëshirë që ai e rrëfente me buzëqeshje dhe shumë emocion.

Në video, moderatori e uron që fëmija të vijë në jetë i shëndoshë, ndërsa Shpati përgjigjet me qetësinë dhe sinqeritetin që e karakterizonte:
“Ajo është më e rëndësishmja, të vijë në jetë i shëndoshë, të rritet me prindër të shëndoshë, të rritet në ambient të shëndoshë, në familje të shëndoshë.”

Në një moment tjetër, kur pyetet se çfarë mban simbolikisht “brenda zemrës”, Kasapi buzëqesh dhe thotë: “Shkronja S,” një dedikim i qartë për bashkëshorten e tij, Selvijen, me të cilën kishte një marrëdhënie të fortë dhe të përkushtuar.

Videoja është shpërndarë gjerësisht si një kujtim i çmuar për artistin, i cili u nda papritur nga jeta pas një sulmi në zemër, duke lënë pas një boshllëk të madh te familjarët, kolegët dhe mijëra fansa.

Shpati u varros të dielën në Tetovë, pas një ceremonie mortore të zhvilluar mes dhimbjes së thellë dhe kujtimeve të shumta. Familjarët, miqtë dhe kolegët u shfaqën të përlotur, duke e kujtuar si një njeri të mirë, të qetë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.

Kujtimet e tij, fjalët e buta dhe dashuria për familjen vazhdojnë të prekin zemrat e publikut, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi dhe homazhe për artistin që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.

Published inLajm

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *