Apeli i Gjykatës së Posaçme të Apelit ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Kërkesa ishte paraqitur nga avokati Plarent Ndreca, i cili kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për pezullimin e afateve të paraburgimit të Veliajt.
Në seancat e zhvilluara më 25 maj dhe 10 qershor, GJKKO vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, i cili është i vetmi i pandehur i arrestuar në këtë proces. Shkak për vendimin u bë mungesa e avokatëve të dy të bashkëpandehurve të tjerë, çka solli shtyrjen e seancave.
Mbrojtja e Veliajt e kundërshtoi vendimin, duke argumentuar se shtyrja e seancave nuk ishte shkaktuar prej tij dhe për këtë arsye nuk duhej të ndikohej afati i paraburgimit të tij.
Megjithatë, gjyqtarja Saida Dollani ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimin për pezullimin e afateve.
Pas këtij vendimi, mbrojtjes së Veliajt i mbetet mundësia që çështjen ta dërgojë në Gjykatën e Lartë.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Sipas SPAK, ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion në nëntë raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të paligjshme në burg.
