Një krim i rëndë ka tronditur zonën e Nea Smyrni-t në Athinë, ku një 48-vjeçar me origjinë shqiptare vrau me armë zjarri ish-partneren e tij 45-vjeçare dhe pak çaste më vonë i dha fund jetës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës, jashtë pallatit ku banonte gruaja. Hetimet e autoriteteve greke kanë nxjerrë në dritë detaje tronditëse mbi momentet para vrasjes, ndërsa në duart e policisë ndodhet edhe një video nga kamera e sigurisë.
Sipas raportimeve të mediave greke, pamjet tregojnë një përplasje mes 48-vjeçarit dhe 45-vjeçares. Në një moment, burri e detyron atë të gjunjëzohet dhe më pas e qëllon me armë. Raportime të tjera mbi pamjet thonë se ai e qëlloi gruan në kokë dhe në trup.
Pas krimit, 48-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes dhe pak më tej u gjet i vdekur, pasi kishte qëlluar veten me të njëjtën armë. Policia gjeti pranë tij revolverin që dyshohet se u përdor në vrasje.
Viktima kishte frikë dhe kishte ndryshuar bravat
Një prej detajeve më shqetësuese që po hetohet nga autoritetet është fakti se 45-vjeçarja kishte shfaqur më herët frikë për jetën e saj.
Sipas familjarëve, pas ndarjes 48-vjeçari e kishte kërcënuar dhe, për shkak të frikës, vëllai i saj kishte ndryshuar bravat e banesës. Gruaja kishte kërkuar mbrojtje dhe familjarët ishin në dijeni të kërcënimeve që ajo kishte marrë.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin nëse krimi ishte i planifikuar prej kohësh. Fakti që autori kishte qëndruar në pritje pranë banesës së viktimës dhe se kishte me vete armën, është një prej elementeve që po shqyrtohen nga policia.
E shkuara e 48-vjeçarit në Shqipëri
Në fokusin e hetimit ka hyrë edhe e kaluara e autorit në Shqipëri.
Sipas mediave greke, 48-vjeçari ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016, kur ishte 35 vjeç, pasi ishte dyshuar për ngacmimin e ish-bashkëshortes së tij. Autoritetet greke po shqyrtojnë tashmë të dhënat mbi të kaluarën e tij dhe marrëdhëniet që kishte pasur me gratë në jetën e tij.
Mediat greke raportojnë gjithashtu se ai ishte i martuar dhe kishte një fëmijë, ndërsa marrëdhënia me 45-vjeçaren ishte një lidhje e mëparshme.
Hetuesit kontrollojnë telefonat dhe rrjetet sociale
Policia greke po analizon telefonat e viktimës dhe autorit, komunikimet mes tyre, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e familjarëve e personave të afërt.
Në vëmendje janë edhe aktivitetet e 48-vjeçarit në rrjetet sociale. Sipas raportimeve të mediave greke, ai kishte publikuar më herët fotografi me armë.
Një prej pyetjeve kryesore për hetuesit mbetet motivi i saktë i krimit dhe nëse vrasja ishte planifikuar paraprakisht.
Pamjet e kamerave, ndërkohë, pritet të jenë një prej provave kryesore për rindërtimin minutë pas minute të asaj që ndodhi jashtë pallatit të 45-vjeçares në Nea Smyrni.

Comments are closed.